Natyrisht,
pavarësisht nga arsyet apo justifikimet, “JO”-ja e tanishme nuk është një lajm
i mirë. Mospërfundimi i anëtarësimit të plotë pasi pjesa dërrmuese e asamblesë
parlamentare ka votuar me shumicë dërrmuese pro Kosovës, i jep gjithsecilit të
drejtën të flasë për një dështim. Por, përtej këtij konkluzioni sipërfaqësor,
konteksti dhe rrethanat e këtij refuzimi duhen analizuar.
Në radhë të parë
ato krijojnë një kontradiktë sistemore mes deputetëve të asamblesë
parlamentarëve që votojnë dhe vendimmarrjes të qeverive që shërbeu si veto. Ajo
e shndërron në absurd krejt procesin e anëtarësimit në KiE. Së dyti, ajo nxjerr
në pah edhe një kontradiktë tjetër. Dihet se Këshilli i Evropës ka në fokus të
tij të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij. Si i tillë anëtarësimi i
Kosovës në të do të nënkuptonte automatikisht më shumë garanci edhe për serbët
lokalë. Prezenca në KiE dhe futja
automatikisht në juridiksionin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut do i
mbronte ata më shumë edhe sesa vetë asociacioni i kërkuar me këmbëngulje nga
Beogradi.
Por duket se
vendet kryesore të perëndimit janë të gatshme të testojnë edhe dobësinë e
institucioneve të tyre edhe të injorojnë interesat konkrete të qytetarëve serbë
të Kosovës, vetëm për të arritur një qëllim: të vazhdojnë përpjekjen e kotë për
të përkëdhelur Aleksandar Vuçiçin, që i shantazhon sistematikisht përmes
aleatëve të tij Putin dhe Xi Jimping.
Duhet të jemi
realistë, kushti për të penguar Kosovën si anëtare të 47 të Këshillit të
Evropës ka qenë një lobim i hapur i Beogradit. Për interesa gjeopolitike fuqitë
evropiane e pranuan atë. Ashtu sikurse pranuan marrëveshjen e Brukselit dhe
aneksin e saj të Ohrit, pavarësisht se Vuçiçi e kishte krahun e sëmurë për ta
nënshkruar, ndërsa Prishtina qe e gatshme ta bënte. Këto standarde të dyfishta
u panë edhe në kërkesën gojore, ndryshe nga sa parashihnin draftet e planit
franko gjerman, për të filluar së pari punën me asociacionin. Ato u theksuan më
tepër me fajësimin e Kosovës për krizën në katër komunat veriore, ndonëse dukej
qartë se Beogradi ishte ideatori i kaosit të krijuar. Ato kulmuan me vendosjen
e sanksioneve ndaj Prishtinës dhe me ledhatimin e presidentit serb, edhe pasi
ky dërgoi paramilitarët e vet, të kryesuar nga Radojçiç të kryenin sulmin
terrorist në Banjskë.
Pra e gjithë kjo
kronologji të çon në një konkluzion të stërthënë, të pranuar në mënyrë të
zëshme edhe nga shumë politikanë dhe analistë në Evropë e SHBA, atë të
kristalizimit të një politike perëndimorë që do të sakrifikojë interesat e
Kosovës me shpresën për të mos lënë të dalë nga vatha Vuçiçin.
Ky është edhe
thelbi i konfliktit të fundit me veton për anëtarësimin në KiE, që Franca dhe
Gjermania e kushtëzuan, papritmas, me shpënien e draftit për asociacionin në
Gjykatën Kushtetuese.
Pyetja që
shtrohet përpara të gjithë armiqve, kritikëve të Albinit apo servilëve të
shpallur të fuqive të mëdha është: çfarë duhet të bëjë një lider kosovar kur
atij i kërkohet, nga aleatët e vet, të nënshkruajë koncesione në favor të
Serbisë? Ti bindet qorrazi? Apo ti rezistojë me koston jo të lehtë të
sanksioneve personale dhe vonesave për vendin?
Pa zgjidhur këtë
dilemë nuk mund të kesh një pozicion të ndershëm dhe të drejtë në raport me
veprimet dhe aktet e Kurtit. Ndaj tij mund të jesh i ashpër, t’i kërkosh
politikisht madje dhe kokën, ti vësh në dukje shkarjet në koherencë, taktizimet
për të fituar kohë, piruetat për të shmangur trysninë e tmerrshme
ndërkombëtare, por nuk mund ti kërkosh assesi shitjen e mandatit për të cilin
është votuar.
Se ç ‘ndodh në
raste të tilla e kemi parë shpesh herë, madje e provoi së fundi edhe fati i
LSDM në zgjedhjet në Maqedoni. Forca politike që sillen si lakej të
ndërkombëtarëve, në të kundërt asaj që do dhe kërkon populli i tyre, rrezikojnë
të zhduken nga harta elektorale. Përpos kësaj, ata i hapin rrugën partive dhe
rrymave gjithnjë e më nacionaliste dhe anti perëndimore.
Mund të duket
tejet paradoksale, por ajo që kritikohet si rezistenca kokëfortë e Albin
Kurtit, po e mbron Kosovën nga ngjizja e sentimenteve kundër vendeve aleate për
shqiptarët. Duke i thënë atyre jo për plotësimin e kërkesave të Serbisë qeveria
e Vetëvendosjes po ruan vazhdimësinë e besimit tek SHBA dhe BE. Pikërisht kjo
vlen edhe për mospranimin e veçimit së Asociacionit nga paketa e marrëveshjes
që pretendohej se do të prodhonte njohjen “de facto” të Kosovës. E këtu duhet
qëndruar, qoftë edhe me çmimin e padrejtë të vonesës së anëtarësimit në
KiE. (Andi Bushati - Lapsi.al)
Comments