Na ndiqni ne Facebook

A ËSHTË E MJAFTUESHME VETËM KRENARIA ME FORCËN E SIGURISË SË KOSOVËS

 


Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, janë dy institucione relevante, bartëse dhe garantë të sigurisë, rendit publik, jetës e pasurisë qytetare, sistemit juridik demokratik dhe mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Meqë është kështu. Për ta kryer suksesshëm misionin e ngarkuar nga shteti mbi këto institucione….a ua plotëson kushtet dhe nevojat e domosdoshme shteti ynë këtyre strukturave, për kryerjen efikase-optimale të detyrave në funksionimin normal të shtetit?

Faktet dëshmojnë se jo!!!

Analizat ushtarake dhe jeta, e ka provuar katërcipërisht që, para çdo arritje tekniko-teknologjike, në sukseset parësore, gjithmonë radhitet faktori njeri.

Në Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës, janë të angazhuar e të përgatitur, djem e vajza, gra e burra të devotshëm dhe atdhedashës të sprovuar. Por, ndodhemi para një dukurie zhgënjyese, ku pjesëtarët, sidomos të Forcës së Sigurisë Kosovës, përkundër pagave të ulëta, të pamjaftueshme për jetesë solide, punojnë dhe kryejnë detyrat ushtarake, nën nivelin kushteve normale të pajustifikueshme!

E pabesueshme dhe thellësisht e paakceptueshme që, ushtarakët/et tanë, të mos kenë pajisje të mjaftueshme të veshjeve dhe të mjeteve përcjellëse, pasqyrë që e bën ushtarakun dinjitoz e të respektuar në shtet e në popull.

Të dhënat janë të konfirmuara, ushtaraku ynë, nga dita e parë kur vesh uniformën dhe bënë betimin, furnizohet me një palë rroba e pak nënrroba, me të cilat shërbehet me të njëjtat si në aktivitete ushtarake ashtu edhe në lëvizje të lirë jashtë ambienteve ushtarake!!!

Është e habitshme që, uniformat iu jepen ushtarëve pa numra tregues të madhësisë në disproporcion me madhësinë e trupit të ushtarëve! Gjithashtu, për t’i përshtatur për trupin apo edhe kur iu shqyhen e zhyten në ushtrime e aktivitete stërvitore, ushtarët detyrohen të gjejnë rrobaqepës t’i përshtatin e t’i harrnojnë privatisht në mungesë të ndërresave. Përndryshe ,të parregulluara nuk lejohen të hynë në kazerma!!!

Nga këto kushte të papranueshme, shumë ushtarakë tanë, janë të predispozuar ta braktisin punën e ushtarakut dhe të kërkojnë zgjidhje më të mira në jetën civile apo të emigrojnë ku të munden!

Këtë problem akut, organet kompetente të Qeverisë së Kosovës, kanë për detyrë të marrin masat e nevojshme për zgjidhje të arsyeshme të kësaj gjendje me pasoja në perspektivë.

Sejdi Sopi

Comments