Na ndiqni ne Facebook

MËRGIMTARËT E SHQIPËRISË, PËRKRAHJE MASIVE ADRIATIK LAPAJT


Më 3 nëntor 2024, në tubimin e organizuar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, 1200 mërgimtarë nga Shqipëria në Düsseldorf, me këngë patriotike dhe ovacione e përshëndetën delegacionin e kësaj Lëvizje dhe liderin e saj Adriatik Lapaj.

Në këtë tubim madhështor, z. Adriatik Lapaj, në fjalimin e tij konstruktiv-përmbajtësor, iu bëri thirrje mërgimtarëve shqiptarë të të gjitha moshave e shtresave sociale që, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Shqipëri të përkrahin fuqishëm Lëvizjen “Shqipëria Bëhet”, me premtimin se fitorja e kësaj Lëvizje do të ishte jetike dhe shpresë e sigurt, në realizimin e ëndrrave gjithpopullore në kthimin e Shqipërisë në normalitet zhvillimor dhe shpartallimin demokratik të kastës politike sunduese, e cila me dekada e futi vendin në krizë të thellë morale, ekonomike e shoqërore, nga e cila mbi 1 milion e 600 mijë shqiptarë u detyruan të kërkojnë mbijetesën në mërgim.

Adriatik Lapaj, iu garantoi mërgimtarëve se, me qeverisjen e tij, do të krijohen kushtet për kthimin e mërgatës në atdhe, sepse do të stimulojë zhvillimin ekonomik, mirëqenien e popullsisë, me shfrytëzimin racional të resurseve të mëdha burimore që posedon vendi.

Z. A. Lapaj, ndër të tjera tha: Gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, do ta fitojnë të drejtën e pasaportës shqiptare dhe, Qeveria ime, nuk do të marrë asnjë vendim me rëndësi kombëtare, pa u konsultuar me qeverinë e Kosovës. Në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare, do të punojmë bashkarisht në të gjitha fushat si vëllezër të pandarë!

Shqipëria, tha z. Lapaj në fund të fjalimit, me të gjitha shetet fqinje dhe të tjerët, do ta zbatojë politikën e reciprocitetit, por, për ta  zbatuar me sukses këtë politikë, kusht primar është fuqizimi i ekonomisë sonë kombëtare.

Sejdi Sopi

Comments